Lagardère Travel Retail zgjerohet në Shqipëri me operacionet Duty Free në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës
Lagardère Travel Retail ka kënaqësinë të njoftojë nisjen e operacioneve të saj Duty Free në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), duke shënuar realizimin me sukses të partneritetit strategjik me Kastrati Group. Ky bashkëpunim, i nisur në tetor 2023, jo vetëm që sjell në Shqipëri ekspertizën e nivelit botëror të Lagardère Travel Retail, por gjithashtu forcon praninë e saj në rajonin dinamik të Ballkanit.
Ky partneritet vjen në një moment kyç për Shqipërinë, një vend që po përjeton një rritje të jashtëzakonshme të turizmit, ku kontributi i këtij sektori në ekonominë kombëtare u dyfishua në vitin 2023. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Lagardère Travel Retail do të bëhet operatori ekskluziv Duty Free në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke sjellë një gamë të re dhe të larmishme produktesh dhe shërbimesh, përfshirë oferta ekskluzive që ndërthurin standardet ndërkombëtare me produkte që festojnë kulturën shqiptare.
Dag Rasmussen, Kryetar dhe CEO i Lagardère Travel Retail, u shpreh:
“Jemi shumë të entuziazmuar që sjellim ekspertizën tonë globale për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Ky partneritet me Kastrati Group pasqyron ambicien tonë të përbashkët për të krijuar përvoja të jashtëzakonshme të travel retail që kombinojnë më të mirën e ofertave ndërkombëtare dhe lokale.”
Znj. Marsida Pallko, Administratore e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, shtoi:
“Bashkëpunimi me Lagardère Travel Retail është një hap i rëndësishëm përpara për TIA. Përvoja dhe qasja e tyre në travel retail do të përmirësojnë ndjeshëm ofertën tregtare të aeroportit dhe do të ofrojnë një përvojë më të avancuar për pasagjerët tanë. Jemi të entuziazmuar për mundësitë që ky partneritet do të sjellë për Shqipërinë dhe për TIA ndërsa vazhdojmë të rritemi.”
Pas dorëzimit zyrtar të operacioneve në janar 2025, Lagardère Travel Retail do të nisë një program ambicioz për të përmirësuar përvojën e blerjeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Kjo përfshin rinovimin e plotë të dyqanit ekzistues Duty Free duke filluar nga marsi 2025, si dhe plane për zgjerimin e terminalit për të përballuar numrin në rritje të udhëtarëve. Në fakt, TIA ka qenë aeroporti me rritjen më të madhe të trafikut në Evropë gjatë dy viteve të fundit.
Me më shumë se 60 vite përvojë në Duty Free ndërkombëtar, Lagardère Travel Retail sjell një pasuri njohurish dhe inovacioni në këtë partneritet, ndërsa prania e fortë lokale dhe portofoli i diversifikuar i Kastrati Group forcojnë më tej potencialin për sukses. Së bashku, të dy kompanitë synojnë të ofrojnë zgjidhje të klasit botëror në retail, që plotësojnë nevojat si të udhëtarëve ndërkombëtarë ashtu edhe të konsumatorëve vendas.